Historiku i 4 Dëshmorëve nga Ratkoc-i

1. NASER VELI KRASNIQI (24.10.1972 – 04.06.1998)

Jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit Naser Krasniqi

Naser Veli Krasniqi lindi më 24 tetor 1972, në Ratkoc të Rahovecit nga prinderit Veli Krasniqi dhe Mihrije Xhyliqi-Krasniqi. Naseri ishte në klasën e 5-të kur i motivuar nga familja, rrethi dhe shokët më të vjetër, e theu fotografinë e Titos (ish- kryetarit të Jugosllavisë). Të bëhej një akt i tillë në atë kohë, ishte rrezik, jo vetëm për nxënësin, por edhe për familjen. Vitet 1988/89 shënuan kulmin e diskriminimit politik te shqiptarët e Kosovës, kur serbo-jugosllavët suspenduan Autonominë e Kosovës. Në kontekst të këtyre ngjarjeve, dëshmori Naser V. Krasniqi ishte njëri ndër protagonistët, protestuesit që me ditë dhe muaj nuk ndaloi së vepruari në demonstrimin fizik, organizativ, moral dhe shpirtëror. Kjo kohë edhe pse ishte e vështirë dhe kërkonte sakrifica, ai nuk ndalej. . Zhdërvjelltësia, elani, energjia dhe guximi i treguar i Naserit në këto ngjarje, u dhanë mundësi shërbimeve sekrete dhe policisë okupuese ta identifikonin Naserin si njërin ndër organizatorët dhe udhëheqësit e demonstratave, duke e fotografuar atë dhe më pas përmes kësaj fotoje atë e kërkonin për çdo ditë.


Kjo e bëri më të veçantë Naserin në brezin e tij liridashës, ndaj në vend që të niste studimet në fakultet, ai u detyrua ta linte Kosovën dhe përkohësisht të shkonte në Gjermani. Naserin, si shtegtar të lirisë, e gjejmë përsëri në Kosovë, në vitin 1996, por tash edhe më të formësuar, më të pjekur, më të organizuar dhe më të brumosur me idealet e lirisë. Pas kthimit të tij në atdhe, në vitin 1996, veprimtarinë patriotike-atdhetare do ta vazhdonte fillimisht në vendlindje, në Drinas, përmes organizatës ilegale të quajtur LKÇK, e më pas si student në Prishtinë.


Në fund të vitit 1997 dhe në fillim të vitit 1998, Naseri së bashku me shokët e tjerë përmes vijës kufitare Kosovë- Shqipëri, disa herë përcillnin vullnetarë të ardhur nga larg. Ata i merrnin në kufi, nga shokët e tjerë që ishin në brendi të Shqipërisë, dhe më pas i vendoseshin në fshat (Ratkoc), ku qëndronin me ditë dhe net të tëra derisa krijoheshin rrethana sigurie për t’i shpërndarë nëpër zonat e tjera të Kosovës. Në vitin 1996/1997. Naseri u regjistrua në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës. Naseri, më 1 tetor të vitit 1997, ishte pjesëmarrës aktiv i protestave që u zhvilluan në Prishtinë, përkatësisht tek vendi i quajtur “Velania”. përfundimisht në muajt e parë të vitit 1998, e braktis qytetin e studentit, Prishtinën dhe kthehet në Anadrini, përkatësisht në fshatin e tij të lindjes, Ratkoc, për të filluar veprimtarinë luftarake, deri në rënie.


Gjatë viteve 1997/98, Naseri së bashku me shokë, filluan bartjen masive të armatimit përmes kanalit të hapur që kishte krijuar LKÇK-ja, në kufirin Kosovë-Shqipëri. Armët dhe municionet barteshin me krah, deri poshtë tek fshatrat e Hasit të Kosovës, për t’i transportuar më pastaj edhe me mjete të tjera, si me kuaj, traktorë, kamionë, etj. Me daljen publike të UÇK-së, në Drenoc të Rahovecit, më 26 prill të vitit 1998, u krijuan rrethana të reja edhe në rajonin e Anadrinit. Pra, u përshpejtua shtrirja e organizimit të një lufte legale. Pra, kjo ngjarje ndikoi që edhe njësiti gueril i LKÇK-së, nga fshati Ratkoc, që deri më tani veproi në rrethana ilegale, tash të dilte legalisht dhe t’u bashkëngjitej radhëve të UÇK-së, fillimisht në fshatin Drenoc. Të nesërmen, pikërisht më datën 27 prill 1998, Naseri së bashku me grupin që kishte prej rreth 12 pjesëtarëve të armatosur të LKÇK-së, iu bashkuan Shtabit të UÇK-së, në Drenoc, duke u ardhur në ndihmë, dhe prej këtij momenti Naseri veproi legalisht. Naser Krasniqi gjatë gjithë kohës mbante emrin e ilegalitetit dhe të luftës “Leka”, të cilin ia kishin vënë shokët e njësitit gueril. Nga data 12 maj 1998, Naseri do të transferohet nga Drenoci e Zatriqi në Ratkoc, për të vazhduar organizimin dhe luftimet që pasuan në vazhdimMë 13 maj, strukturat udhëheqëse të UÇK-së morën vendim të vendoset pika në “Gradish”, vend ky shumë i përshtatshëm për luftë, apo siç njihet në terminologjinë ushtarake, pikë gjeostrategjike, sepse kontrollonte magjistralen kryesore Gjakovë- Prizren- Rahovec.


Dhe prej këtij momenti, Naseri përgjatë 12 orëve luftime qëndroi aktiv nëpër pozicionet e UÇK-së. Dëshmorin e kombit, Naser Krasniqi, deri në aktin e rënies, do ta shohim kudo nëpër aksione e fushëbeteja luftarake, si në Drenoc, Bratotin, Ratkoc, Zatriq, Vranjak, Dejë, Malësi e Vogël, Gradish, etj. Naseri, nuk iu frikësua vdekjes dhe nuk i bëri lak asaj. Ai sikur e ndjente se do të vdiste, bile siç pohonin shokët e tij, ai shpesh thoshte: “ Unë do të vritem, por nuk i frikësohem vdekjes, sepse s’ka gjë më të mirë, më të ëmbël e më krenare se sa vdekja për atdhe “.


Naser Krasniqi, duke qenë në krye të detyrës, si çdoherë në mbrëmjen e 4 qershorit 1998, saktësisht në orë 9.26 min. kur filloi një ofensivë e madhe altilerike serbe e kombinuar me shumë forma lufte, pikërisht aty edhe ku lindi, në Drinas (ish- Ratkoc), në përballje me forcat serbe, bie heroikisht, duke mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe lirinë e atdheut të vet.


2. SAHIT AVDURRAHMON KRASNIQI (26.8.1975 – 29.1.1999)

Jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit Sahit Krasniqi

Dëshmori Sahit Avdurrahmon Krasniqi lind më 26.08.1975, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit nga prindërit Avdurrahmon dhe Qamile Fazliu-Krasniqi Ai qysh në moshën 5-6 vjeçare filloi të punonte punë fizike, sipas nevojës brenda familjes së tij, të cilat shpejt e kalitën dhe e bënë të fortë. Shkollën fillore Sahiti do ta përfundojë me suksese të larta, në vitin 1990, pikërisht në vendin e tij të lindjes.Ndërsa mësimet e mesme i regjistroi dhe i bëri në shkollën teknike “Gani Çavdërbasha” - Dega e Makinerisë, në Prizren. Si nxënës e kuptoi rrezikun në të cilin gjendej Kosova, sidomos pas suspendimit të Autonomisë së Kosovës. Në këtë kohë kur Sahiti vazhdonte mësimet në shkollën e mesme, filluan dhe ndryshimet e sistemit që në Kosovë kaluan me tensione të mëdha. Sahiti me bashkëmoshatarët e tij kësaj gjendjeje të rëndë nuk iu shmang, përkundrazi ai mori pjesë aktive nëpër protesta dhe demonstrata që organizoheshin në atë kohë. . Sahiti veprimtarinë atdhetare e filloi përmes LKÇK-së, në vitin 1994. Që nga kjo kohë, Sahiti me shokë nuk do të zbulohej së vepruari në shpërndarjen e fletushkës “Çlirimi”, që për kohën kërkonte guxim, vigjilencë, saktësi dhe mbi të gjitha konspiracion.


Në vitin 1996 i shtyrë nga gjendja e rëndë ekonomike, Sahiti u detyrua të emigronte në Gjermani, për punë, në mënyrë që t’i ndihmonte familjes së tij, e cila në këtë periudhë kohore ballafaqohej me kushte të rënda jetese. Sahiti shkoi në kurbet fizikisht, por zemrën dhe mendjen i kishte gjithmonë të Kosova. Atje ra në kontakt dhe bashkëpunoi me disa veprimtarë rreth organizimit të çështjes kombëtare.


Më datën 4 qershor të vitit 1998, Sahitit nuk po i zihej vendi vend. Sikur e kishte një parandjenjë të keqe, menjëherë e mori telefonin dhe bisedoi me xhaxhanë e tij, i cili ia konfirmoi lajmin për vrasjen e kushëririt të tij, dëshmorit të kombit, Naser Krasniqi. Kështu, nga ky moment filloi një kapitull i ri për Sahitin. Me t’u kthyer nga mërgimi në Kosovë, Sahit Krasniqi kaloi nëpërmjet Shqipërisë, ku si zakonisht të gjithë shqiptarët ngado që vinin si vullnetarë në luftë, fillimisht ndaleshin në Shqipëri, përgatiteshin, e më pas të mbushur me armatim futeshin në Kosovë. Edhe Sahiti, para se të futej në Kosovë, përgjatë 10 ditëve bëri ushtrime luftarake në poligonin luftarak të quajtur “Agron Rrahmani”, që gjendje në periferi të Tiranës. Kështu, pas përfundimit të stërvitjeve dhe pas ngarkesave me armë dhe municione, në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, Sahiti së bashku edhe me shumë shokë futet në Kosovë, përkatësisht në Ratkoc, në fshatin e tij të lindjes, për të vazhduar më pas nëpër shumë vende të tjera të ZO të Pashtrikut dhe të Dukagjinit. Që në start të luftës Sahiti do të sistemohet në kuadër të Njësisë speciale për intervenime të shpejta. Me padurim priste momentin për t’u futur në beteja luftarake. Në luftë të hapur, ballë për ballë me armikun, ai do të hynte në betejën e Rahovecit. Pikërisht më datën 18 korrik, Kompania II e UÇK-së, e fshatit Ratkoc, së cilës i takonte edhe Sahiti, së bashku me njësitet e tjera të UÇK-së, do të barrikadoheshin në aksin rajonal Malishevë- Rahovec- Bellacerkë, Xërxë, që konkretisht pikat i vendosën në vendin e quajtur “Bellacerkë”. Këto luftime zgjatën 3 ditë e 3 net. Në këto luftime Sahiti do të dallohej ndër luftëtarët e tjerë me cilësitë e shkathëta të një ushtari, me guxim të lartë, i cili depërtoi në pikat më të zjarrta të luftimeve, në Bellacerkë dhe në Rahovec.


Pas ofensivës së shtatorit, Sahiti me disa shokë do të kalonte në Shqipëri për të aftësuar edhe më tej në artin ushtarak, për t’u stërvitur, dhe në çdo kohë do të jenë të gatshëm për t’u futur sërish në Kosovë. Më 20 nëntor të vitit 1998, Sahiti me disa shokë të UÇK-së marshuan në drejtim të zonës kufitare. Ai gjatë kësaj kohe kishte kontaktuar me një grup ushtarësh të tjerë nga Zona Operative e Dukagjinit, që udhëhiqej nga Sokol Morina dhe vëllezërit Lleshi. Vetëm pas një jave më vonë, pikërisht më datën 21 dhjetor të vitit 1998, Sahiti me shokë do t’i bashkëngjiteshin grupit të Dukagjinit, të udhëhequr nga Sokol Morina, dhe në afërsi të Gjakovës futen në Kosovë. Me të hyrë në Kosovë, Sahiti kishte rënë dakord që të vazhdonte veprimtarinë luftarake në Dukagjin, ku me vullnet do të merrte përsipër së bashku edhe me shokë të tjerë bartjen e armatimeve, sektor ky sa i rëndësishëm, po aq edhe i rrezikshëm. Me të shkuar në Dukagjin, Sahiti vendoset në Jabllanicë. Nga këtu do të vazhdojë luftën për çlirimin e vendit.


Gjatë qëndrimit të tij në Jabllanicë, përveç kohës së pushimit që ishte e domosdoshme për t’u akumuluar me energji të reja, në mënyrë që udhëtimet e tjera për në Shqipëri të ishin efikase, ai gjithashtu kryente edhe punë dhe detyra të ndryshme sipas nevojës. Udhëtimi ishte i frikshëm, por i suksesshëm, sidomos transporti me autobus deri në Jabllanicë. Ishte një ndërmarrje e guximshme e pjesëtarëve të UÇK-së, që rezultoi me sukses. Më 27 janar 1999 njësiti për furnizim me armë ishte nisur nga baza ushtarake e Dukagjinit, përkatësisht nga Jabllanica, kësaj here me një arsenal të madh ushtarësh të UÇK-së, me rreth 90-100 veta. Siç dukej, një ndërmarrje e tillë e UÇK-së u kishte rënë në vesh shërbimeve sekrete serbe. . Dhe në bazë të këtyre informacioneve të zbulimit, forcat serbe e kishin zbuluar vijën e kalimit të këtyre djemve. Me këtë rast forcat serbe zunë pozicionet mbi urën në afërsi të Bishtazhinit, për t’ua prerë udhën trimave të UÇK-së, që për tri ditë rresht ishin vënë në shënjestër të armiqve.


Ata, luftëtarët e UÇK-së, pasi e kishin marrë veten në përballje të befasishme me forcat serbe, ishin edhe më të vendosur për t’u përballur edhe më rreptë të nesërmen, në pritën e dytë në Goden. Beteja e dytë që u zhvillua të nesërme më 28 janar në fshatin Goden qe fatale për vëllezërit Pren e Mehm Lleshi nga Vraniqi, pra këtu bien heroikisht vëllezërit Lleshi dhe plagoset në këmbë Sahit Krasniqi. Sahiti me të arritur në Rogovë u fut në shtëpinë e dhëndrit të vet, prej nga mendonin të siguronin lidhje për të kaluar në Zonën Operative të Pashtrikut. Meqë Sahiti ishte i plagosur në këmbë një ditë më parë, shokët e tij i propozuan që të rrinte në shtëpinë e dhëndrit të tij, i cili duhej të kujdesej për të plagosurin. Mirëpo Sahiti, edhe pse i plagosur, nuk u pajtua me propozimin e shokëve që të rrinte në Rogovë, prej nga më pas do të kthehej në bazën e UÇK-së. Sahiti si gjithmonë i vendosur deri në fund për vizionin dhe misionin që ia kishte ngarkuar vetes, nuk u kthye mbrapa, por vazhdoi përpara, duke synuar që të arrinte në Shqipëri. Me fjalë të tjera, mëngjesi i 29 janarit i vitit 1999 do të jetë i kobshëm për djemtë e UÇK-së, prej të cilëve kanë rënë 9 martirë të fshatit Rogovë, e në mesin e tyre edhe djaloshi sypatrembur, nga Ratkoci, dëshmori i Kombit Sahit Krasniqi.


3. VISAR MUSTAFË HOTI (16.10.1977 – 18.04.1999)

Jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit Visar Hoti

Dëshmori Visar Hoti lindi me 16.10.1977 në fshatin Drinas (ish- Ratkoc) të komunës së Rahovecit nga prindërit Mustaf Hoti dhe Melihate Doli-Hoti. Visari si nxënës u dallua nga të tjerët, këtë për faktin se ishte shumë i zgjuar dhe shembullor. Gjatë gjithë shkollës fillore, Visari ishte i pari në klasën e tij dhe më gjerë, me të gjitha notat pesëshe.Derisa ishte gjimnazist, Visari u shpall nxënësi më i mirë në komunën e Rahovecit. Pas përfundimit të shkollës së mesme, dëshira e tij e flaktë ishte që të vazhdonte studimet universitare në Akademinë Ushtarake në Shqipëri. Dhe pikërisht për këtë arsye ai dy herë radhazi, në rrethana ilegale kaloi kufirin shqiptaro-shqiptar për t’u regjistruar në Akademi. Por për fat të keq, edhe përkundër shumë peripecive atje, nuk ia arrin të futet në shkollë, kështu kthehet në Universitetin e Prishtinës, duke regjistruar Fakultetin Ekonomik në vitin akademik 1996/97. Me ardhjen e tij në Prishtinë do të fillojë një kapitull i ri për Visarin. Menjëherë pas rënies në kontakt me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), ai do të aktivizohej në shpërndarjen aktive të organit të kësaj lëvizje “Çlirimit”.


Më 1 tetor 1997 në Prishtinë u mbajtën protestat studentore, të organizuara nga “Unioni i Pavarur i Studentëve” dhe një grup i profesorëve universitarë. Në këto protesta Visarin e gjejmë në ballë të tyre, si çdoherë i mobilizuar dhe i përgatitur për çdo eventualitet (të papritur). Visari, me të parë këtë situatë, menjëherë u hodh në ballë të masës dhe u përlesh fizikisht me grushte me studentët serbë.Visar Hoti, para se të shkonte në luftë në Anadrini, nga dashuria e madhe për luftën që kishte tentoi të vendosej në zonën e luftimeve në Drenicë, pikërisht pas ngjarjeve të Prekazit. Në Drenicë kontaktoi me pjesëtarin e UÇK-së Agim Gjeli, nga i cili kërkoi që të angazhohej në radhët UÇK-së në zonë e Drenicës. Agimi dëshirën e flaktë të Visarit për t’u kyçur në formacionet UÇK-së e vlerësoi lart, por me që kishte mungesë armësh edhe në këtë zonë iu përgjigj me fjalën njëher tjetër.


Me t’u kthyer nga Prishtina në vendlindje (në Ratkoc) përkatësisht në Anadrini, Visari hidhet menjëherë në veprim, duke shikuar mundësitë se për çfarë kishte nevojë më së shumti UÇK-ja. Duke qenë pika më e ndjeshme në këtë kohë logjistika, pra mungesa e armëve, ai u interesua posaçërisht rreth shkuarjes në Shqipëri, për të siguruar sa më shumë armë dhe municione për ushtrinë. Mungesën e armëve në ushtri Visari e pa më së miri në luftimet e zhvilluara në Ratkoc më 12 maj, dhe sidomos më datën 14 maj në Gradish, ku vetë ai ishte pjesëmarrës i kësaj beteje, pa armë në dorë. Prandaj kjo gjendje e nxiti Visarin që t’i bënte presion Shtabit të Ratkocit për të organizuar shkuarjen për armë në Shqipëri. Dhe pikërisht pas një vendimi të shtabit lokal të Ratkocit, që e mori, vendosi ta dërgojë një grup prej 12 vetash në Shqipëri për armë.


Ai për herë të parë u përballë me forcat serbe në betejat luftarake të 12 majit dhe 14 majit të vitit 1998, që u zhvilluan në relacionin Ratkoc-Bratotin dhe, e dyta, në vendin e quajtur Gradish (Gexhë). Në betejën e dytë luftarake Visari u tregua mjaft i shkathët, duke u futur thellë e më thellë vijës luftarake. Në muajin qershor-korrik Visari u fut në njësinë për intervenime të shpejta (njësia speciale), e cila për dallim nga ushtria e rregullt, kishte për mision futjen e saj në luftë në frontet më të nxehta. Visari nëpërmjet njësisë speciale mori pjesë në aksionet e shpejta luftarake në Kramovik, që u organizuan me koordinim edhe me njësitë e tjera të Dukagjinit dhe Drenicës. Edhe në këto aksione u tregua i guximshëm dhe shumë i suksesshëm. Më datën 18 korrik të vitit 1998 u zhvillua beteja luftarake e (Bellacerkës)- Rahovecit, më e madhja në historinë e UÇK-së, kjo për faktin se e vetmja u zhvillua në vise urbane.


Visari me Safetin dhe me disa shokë të tjerë të UÇK-së, të batalionit të tretë, u angazhuan në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e varrimit të dëshmorit të kombit Sahit Krasniqit.


Në muajin shkurt të vitit 1999 komanda e batalionit III- të, brigada 124- të e Zonës Operative të Pashtrikut do të vendosej në fshatin Guri i Kuq, prej nga Visari me shumë shokë, ngado që shkonin në aksione dhe detyra të tjera luftarake, ktheheshin në bazë. Çdoherë kur kërkohej të kryej një detyrë, Visari do të ishte i pari së bashku me Safetin dhe shokët e tjerë. Prandaj Visari me Safetin dhe me disa shokë të tjerë, si njësi e batalionit III-të, me qëllim të ndihmës që kërkohej për luftë në fshatin Sferkë e Gashit, ata do të shkonin atje. Edhe në këto luftime, sipas deklaratave të shokëve bashkëluftëtarë, u dalluan për trimërinë dhe sukseset luftarake. Beteja e Gurit të Kuq, e zhvilluar më 29/30 mars të vitit 1999, ndërmjet forcave okupuese dhe UÇK-së, përkatësisht batalionit III-të, do të jetë njëra ndër betejat më të suksesshme, në të cilën Visari tregoi një akt të lartë trimërie, duke e hedhur në erë me granata një tank serb. Në betejën luftarake të Zatriqit, ushtarët e UÇK-së ishin pozicionuar në tri pjesë, batalioni III-të në pozicionet mbi fshatin Drenoc, disa të tjerë ishin vendosur në drejtim të rrugës për Rahovec, dhe një pjesë e ushtarëve të tjerë të brigadës 124 ishin vendosur mbi fshatin Ostrozub. Luftimet filluan në orën 16 të ditës së 17 prillit të vitit 1999.


Visari me Safetin gjatë këtyre luftimeve do të gjenden në pozicionet afër varrezave të fshatit Zatriq. Por, papritmas, ushtarët serbë do ta aplikojnë lojën e dinakërisë, duke shkuar në drejtim të pozicioneve të UÇK-së (në drejtim të Visarit dhe Safetit), duke u shtirë me zë të madh se gjoja po dorëzohen para UÇK-së. Me të parë Visari dhe Safeti, menjëherë, pa u hamendur, hapën zjarr në drejtim të tyre me një largësi prej 20-30 metrash dhe nga zjarri i armëve të tyre vriten disa ushtarë serbë. Ky akt Visarin dhe Safetin i trimëron edhe më shumë, prandaj futen edhe më thellë luftimeve. Kështu, shumë shpejt trimat e UÇK-së, në përballje zjarri me forcat serbe, bien në logun e mejdanit nga një snajper serb. Pra, pikërisht në mëngjesin e 18 prillit të vitit 1999 toka ëmë do të skuqet me gjakun e dy trimave, duke rezistuar në luftë deri në momentet e fundit të jetës.


4. SAFET LATIF LATIFI (02.05.1978 – 18.04.1999)

Jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit Safet Latifi

Safet Latif Latifi lindi në fshatin Ratkoc më 02.05.1978 nga prindërit Latif dhe Zyma Latifi. Safet Latifi shkollën fillore e mbaroi në vitin 1992/93 me sukses të lartë, por meqë rrethanat ekonomiko-sociale të familjes së tij ishin jo fort të mira (të dobëta), e detyruan atë të hiqte dorë nga shkollimi i mëtejmë. Ai edhe si punëtor ishte i gatshëm të sakrifikohej për përparimin dhe avancimin e familjes dhe shoqërisë. Mirëpo, edhe përkundër përpjekjeve që bëri për të siguruar kafshatën e gojës për familjen, ai prapëseprapë nuk ia arrinte të ishte i kënaqur me të ardhurat ekonomike. Prandaj vendosi që në moshën e re ta braktiste përkohësisht vendlindjen dhe të emigronte në Perëndim, përkatësisht në Slloveni, për të punuar për një mirëqenie më të madhe për familjen dhe shoqërinë. Edhe gjatë qëndrimit të tij në Perëndim, zemrën, shpirtin dhe mendjen gjithmonë e kishte te familja e tij, farefisi, fshati dhe te Kosova. Ngjarjet e zhvilluara gjatë viteve të 91/92-ta ndikuan pozitivisht në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe përshpejtuan pjekurinë atdhetare tek shumë të rinj. Ndër ta pa dyshim ishte edhe i riu Safet Latifi, mosha e të cilit tanimë kishte ndikuar që ai të lëshonte shtat. Në vjeshtën e tetorit të vitit 1996 Safeti me babanë e tij, Latif Latifin, në një mbrëmje, derisa po vinin nga fusha (toka bujqësore) ku punonin, në qendër të fshatit Ratkoc i ndali dhe i mori policia serbe, të cilët më pas i dërgoi në stacionin e policisë së fshatit me q’rast përgjatë 4-5 orë rresht u maltretuam nga policia serbe. Nga ky rast Safeti u betua, duke ia bërë të qartë babait të tij, se më nuk do t’u binte në duar serbëve. Dhe prej këtij rasti Safeti do të orientohet kah organizimet ilegale, që çonin drejt organizimit të luftës në Kosovë. Pas daljes publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997 dhe pas qëndresës heroike të familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari në Prekaz të Drenicës, gjendja politiko - ushtarake në Kosovë u elektrizua.


Në kontekst të këtyre protestave të mëdha që u zhvilluan në tërë hapësirat e Kosovës, me theks të veçantë u organizuan dhe u mbajtën edhe në fshatin Ratkoc dhe në gjithë komunën e Rahovecit.


Në protestat e mbajtura mori pjesë aktive edhe Safet Latifi, i cili dha një kontribut të çmueshëm në organizimin dhe masivizimin e tyre. Safet Latifi, pikërisht duke e arritur pikën më të lartë të pjekurisë kombëtare në vitin 1997, bëhet pjesë aktive e LKÇK.


Më 18 korrik të vitit 1998 në fshatin Fortesë (Ish- Bellacerkë) do të zhvillohej një betejë e madhe luftarake për mbrojtjen e qytetit të Rahovecit, i cili ishte futur nën kontrollin e UÇK-së. Në këtë betejë mjaft të përgjakshme, që u zhvillua tri net e tri ditë, pjesëtarët e UÇK-së treguan një heroizëm të pashoq në luftë kundër forcave policore e ushtarake serbe. . Ofensiva në fillim të shtatorit (3-4 shtator) të vitit 1998, ishte njëra nga ofensivat më të egra, e ndërmarrë nga ushtria serbe kundër UÇK-së. Kjo ofensivë ishte ndërmarrë në tërë territorin e Kosovës, aty ku vepronte UÇK-ja në përgjithësi, e në Zonën Operative të Pashtrikut në veçanti, krahas luftimeve që zhvilloheshin në ZOP. jë gjendje të rëndë luftarake përjetoi edhe territori ku vepronte brigada 124-të e UÇK-së, në kuadër të së cilës gjendej edhe fshati Ratkoc.Pa dyshim njëri nga këta pjesëtarë që dha kontribut të çmueshëm në këtë ofensivë, ishte Safet Latifi. Po ashtu Safet Latifin e gjejmë në krye të detyrës edhe më 25-26 mars të vitit 1999, te Ura e Bellesë e fshatit Bellacerkë, ku merr pjesë aktive në nxjerrjen dhe varrimin e 64 civilëve shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga forcat serbe.


Në betejën luftarake te Guri i Kuq, që u zhvillua më 29-30 mars të vitit 1999, Safeti me Visarin dhe me shumë bashkëluftëtarë të tyre treguan shembull prej luftëtarëve të devotshëm dhe të guximshëm, që edhe vdekjen e bënin me dinjitet e heroizëm të pashoq edhe në këto luftime.


. Pas këtyre luftimeve, Safeti me shokë kalojnë në fshatin Zatriq, ku edhe ishte i vendosur bat. III-të, përkrah njësive të tjera të brigadës 124. Më 17 prill 1999 njësitet e UÇK-së të brigadës 124, përfshirë edhe bat. III- të, të provokuara nga forcat serbe, që vinin nga fshatrat Drenoc, Senovc, në drejtim të bjeshkës së Zatriqit, aty ku ishte pozicionuar UÇK-ja. Në orën 16.00 filluan luftimet, dhe në sajë të rezistencës që bënë njësit e UÇK-së pas disa orë luftimesh, forcat serbe kthehen mbrapa prej nga ishin nisur.


Pra këtë ditë forcat serbe nuk patën sukses në marrjen e pozicioneve të UÇK-së. Ndërkaq, të nesërmen, më 18 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, prapë filluan luftimet, por kësaj radhe me një strategji tjetër. Në kontekst të këtyre luftimeve, Safeti së bashku me Visarin, ishin të pozicionuar në afërsi të varrezave të fshatit Zatriq. Njëri ndër pozicionet më të rrezikshme në këto luftime. Forcat serbe në këtë kohë, para se t’u afroheshin pozicioneve të Safetit dhe Visarit, përdorën një taktikë, duke i thirrur ata për mirëkuptim se gjoja po dorëzoheshin. Por me të parë qëllimin e tyre, Safeti dhe Visari menjëherë hapin zjarr në ta, duke i lënë të vrarë disa veta. Por trimëria e këtyre dy viganëve nuk ndalet me kaq. Ata futen edhe më thellë në zonën e luftimeve, duke vrarë edhe të tjerë, derisa nga largësia goditen nga snajperë serbë. Kështu, më 18 prill pushuan së rrahuri dy zemra djaloshare, duke hyrë përgjithmonë në analet e historisë më të re kombëtare.



Elsewhere

  1. Twitter
  2. Facebook