Historiku i Fshatit Ratkoc

Fshati Ratkoc, shtrihet në bregun e majtë të Drinit të Bardhë, rreth 17 km në perëndim të Rahovecit. Është vendbanim fushor i tipit të grumbulluar. Lartësia mbidetare: 340 m. sipërfaqja: 11.3 km2


Familjet: Hoti, Morina, Krasniqi, Shala, Berisha etj.


Mikrotoponimet më karakteristike: Brixhet, Ilixhet, Shpazat, Nërkishat, Kisha, Vargavishte, Gurina, Rrihne, Babovc, Sllupe, Vraca, Biçec, Luki i Aruqit, Rezina, Krisne, Lalina, Dame, Livadhe, Bare etj.

Është vendbanim i lashtë antik dardan. Në pjesën veriore të fshatit, në vendin Nërkisha, janë gjetur mbeturina të kulturës materiale. Po ashtu në vendin Kisha, në veri të fshatit, në një kodër janë gjetur disa gur të mëdhenj, pranë tyre varreza të moçme, të mbuluara me zallë të lumit Dri. Ndoshta janë tuma ilire. Nuk janë bërë gjurmime arkeologjike. Edhe në vendin Shpatëza, në jugperëndim të fshatit, janë gjetur gur të mullinjve, mbeturina të qeramikës, tulla, tjegulla etj.


Në dokumentet e shkruara, përkatësisht në Defterin kadastral të Vilajetit Vellk të vitit 1455, ku i takonte nahijes së Dollcit, ishte regjistruar me emrin Ratkovica me 27 shtëpi. Në defterin e dytë kadastral të vitit 1477 është regjistruar me emrin Ratkofci me 19 shtëpi dhe 2 beqarë. Në defterin e tretë kadastral të vitit 1478, ky vendbanim quhet me emrin Radkofci dhe kishte 21 shtëpi e 6 beqarë. Pastaj me emrin Ratkofc në kuadrin e Nahijes së Hoçës përmendet në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591 dhe kishte 39 shtëpi e bashtina, 7 beqarë e 3 qifte.


Me emrin Rikofc është regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893-1896 dhe të vitit 1900.


Në vitin 1936-1937 u kolonizuan 21 familje malazeze e serbe nga Mali i Zi (4 familje), nga Bosna e Hercegovina (3 familje) dhe optante sllave, nga Shqipëria (114 familje). Ndërsa sipas dokumentit arkivor në lokalitetin Ratkoci-Vranjaku-Nushpala u kolonizuan 24 familje me 116 anëtarë.


Shënimet statistikore: Në vitin 1879 kishte 40 shtëpi (34 shqiptare e 4 rome); në regjistrimin e vitit 1913 – 592 banorë; në vitin 1919 – 50 shtëpi shqiptare me 500 anëtarë; sipas regjistrit të vitit 1921 – 76 shtëpi me 654 banorë; në vitin 1948 -150 shtëpi me 1.224 banorë; në vitin 1953 – 164 shtëpi me 1350 banorë; në vitin 1961 – 227 shtëpi me 1673 banorë (1.453 shqiptarë, 28 serbë, 182 malazezë, 10 të tjerë); në vitin 1971 – 240 shtëpi me 2.075 banorë (1.957 shqiptarë, 8 serbë, 108 malazezë, 2 të tjerë); në vitin 1981 – 250 shtëpi me 2.730 banorë (2.708 banorë shqiptarë, 22 malazezë).


Sipas regjistrimit serb të vitit 1991 ishin të regjistruar 10 banorë serbë. Popullata shqiptare e kishte bojkotuar regjistrimin. Sipas vlerësimeve, në vitin 1991, Ratkoci kishte 3.549 banorë


Para agresionit serb në vitin 1998/99, ky vendbanim kishte rreth 400 shtëpi me 4.040 banorë shqiptarë. Nga agresori serb gjatë luftës së fundit për Çlirim, janë djegur rreth 90% të shtëpive. Vetëm 40 shtëpi kanë shpëtuar pa u djegur. Janë djegur edhe ambulanca dhe shtëpia e kulturës së fshatit. Janë grasatuar xhamia e fshatit (e ndërtuar në vitin 1870), ndërsa shkolla është demoluar. Nga ky fshat janë vrarë 6 banorë, në mesin e të cilëve, dëshmorë, në altarin e lirisë ranë për të mos vdekur kurrë 4 të rinj, Naser Veli Krasniqi, Sahit Avdurrahmon Krasniqi, Visar Mustafë Hoti dhe Safet Latif Latifi, ish nxënës të shkollës, ku pas viti 1999, me shumë krenari shkolla fillore e fshatit mbanë emrin “4 Dëshmorët”. Lavdi.!


Elsewhere

  1. Twitter
  2. Facebook